Sunday Sep 05

PSK: Injorimi i grevistëve socialistë nga qeveria nënkupton injorim të gjysmës së elektoratit shqiptar

Prishtinë, 13 maj 2010
Partia Socialiste e Kosovës shpreh brengosjen e saj për situatën aktuale në Shqipëri pas futjes në grevë urie të një numëri të konsiderueshëm deputetësh socialistë.

Pas vizitës që u bëri grevistëve dhe konstatimit të gjendjes shëndetësore të tyre,  PSK mendon se injorimi i grevistëve nga qeveria nënkupton injorim të gjysmës së elektoratit shqiptar që votuan pro kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare. Dialogu konstruktiv mes qeverisë dhe grevistëve do të ishte zgjidhja më e mirë për tejkalimin e problemeve.

Kërkesa për rikonfirmim votash  nuk do duhej të ishte shkas për përshkallzim negativ të situatës politike, e cila nuk do t’i shërbente stabilitetit të vendit, stabiliteti i Shqipërisë është në interes të Kosovës, dhe kjo varet në radhë të parë nga sjellja e Qeverisë shqiptare. Prandaj Qeveria shqiptare duhet të shikojë situatën në mënyrë më gjakftohte dhe të jetë më e gatshme për të komunikuar me grevistët dhe për të diskutuar me durim për çështjet e ngritura nga opozita dhe grevistët, në menyrë që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët.

Sakrifica për votën e lirë është në interes të të gjithëve, për shkak se kjo do të ndikonte pozitivisht edhe në neutralizimin e fenomeneve keqpërdoruese të votës, që është manifestuar edhe në Kosovë.

Për ne është e papranueshme përdorimi i dhunës ndaj protestuesve paqësorë, të cilët shprehin vullnetin e tyre për të realizuar kërkesa konform ligjeve dhe kushtetetës.

PARTIA SOCIALISTE E KOSOVËS
Ilaz Kadolli, kryetar

Nga bashkëpunimi i PSK-së me partitë e majta jashtë vendit

Partia Socialiste po merr pjesë në seminarin “Zgjedhjet e përgjithshme në Suedi” që po mbahet në Stokholm 
 
1 Maj 2010
Në Stokholm të Suedisë nga data 28 prill deri më 2 maj po mbahet Seminari me titull: "Zgjedhjet e përgjithshme në Suedi", organizuar nga Partia Socialdemokrate e Suedisë dhe Qendra Internacionale Ulof Palme. Nga Kosova, për të marrë pjesë në këtë seminar, organizatori ka ftuar Partinë Socialiste të Kosovës, që po përfaqësohet nga Emrush Xhemajli - anëtar i Kryesisë së saj dhe deputet në Parlamentin e Kosovës, dhe Partinë Socialdemokrate të Kosovës, që po përfaqësohet nga Xhavit Rexha - anëtar i Kryesisë së kësaj partie.
Përndryshe në këtë seminar marrin pjesë parti të majta nga e gjithë bota.
Qëllim i seminarit është shpjegimi i përvojës së Partisë Socialdemokrate të Suedisë për zgjedhjet. Dy ditët e para kanë folur sekretarja e përgjithshme e PSD të Suedisë Ann Linde, sekretari i përgjithshëm i Qendrës Internacionale Ulof Palme, Jens Orback, Eric Sundstrom, shefi i botimit të gazetës së partisë, pastaj Claes Nordmark, shefi i komunikimit për Stokholm i PSD, përgjegjësi financiar i PSD, Tommy Ohlstrom, Bo Krogvin - udhëheqës i menaxhimit të fushatës zgjedhore i PSD, Axel Bjorken - udhëheqës i fushatës për të rinjtë, Daniel Gullstrand - sekretare gjenerale e studentëve socialdemokratë, Lars Linder - sekretar i përgjithshëm i Social Demokratëve të Kristian.
Në vijim është vizituar Unioni i Sindikatave të Suedisë LO, ku ka folur Lise Lott Hansson, anëtare e menaxhmentit. Ndërsa sot po bëhet marshimi tradicional i 1 Majit - Ditës së Punës. Takimet vazhdojnë edhe nesër.

Prononcim i Partisë Socialiste të Kosovës me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punonjësve

PSK: Punonjësve status dinjitoz në shoqëri


Partia Socialiste e Kosovës mbështet protestën e ftuar nga BSPK që do të mbahet më 1 Maj dhe fton anëtarësinë e saj që të mbështesin dhe të marrin pjesë në këtë protestë

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, Partia Socialiste e Kosovës iu uron 1 Majin të gjithë punonjësve të Kosovës. Me këtë rast PSK solidarizohet me të gjitha kërkesat e punonjësve drejtuar Qeverisë për përmirësimin e statusit të tyre. Njëherit ftojmë anëtarësinë e PSK-së që të mbështesin dhe të marrin pjesë në protestën, e ftuar nga BSPK, që do të mbahet më 1 Maj.

PSK edhe njëherë deklaron angazhimin e vet për përmirësimin e pozitës së punonjëse në shoqëri. Në mungesë të mbrojtjes ligjore edhe sot punëtorët në Kosovë janë shtresa më e shtypur e shoqërisë. Punëtorët e sektorit privat, që punojnë në firma të mëdha e të vogla në Kosovë, janë pa asnjë të drejtë: nuk kanë të rregulluar orarin e punës, pushimet ditore, javore dhe vjetore, sigurimet shoqërore, shëndetësore, invalidore e pensionale. Në mungesë të kontratave kolektive, që deri më tash nuk janë respektuar, në mungesë të ligjit të Punës, Ligjit për Sindikatat, Ligjit për Grevat (për aprovimin e të cilëve procedurat po zgjasin pa mbarim) punëtorët momentalisht nuk kanë asnjë mjet efikas mbrojtjeje dhe ankese. Për më tepër nëse dikush ankohet vijojnë ndëshkimet nga pronari ose titullari.
Në gjendje pak më të mirë janë punonjësit e sektorit publik, shërbyesit civil, punonjësit në administratën qendrore e komunale, punonjësit në arsim, në shëndetësi, në ndërmarrjet publike, në polici. Por gjendja e tyre gjithashtu është e vështirë duke pasur parasysh mungesat ligjore që përmendëm dhe pagat tejet të ulëta.

Vlerësojmë lartë angazhimin e sindikatave për përmirësimin e kësaj gjendjeje të rëndë të punonjësve, të vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi i mbrojtjes së punonjësve në kushte të reja.

Punëtorëve të Kosovës jashtë vendit, sidomos atyre që kanë punuar në Zvicër dhe janë kthyer në Kosovë, sivjet u është ndërprerë trajtimi institucional, pasi Zvicra në muajin mars 2010 ka ndërprerë marrëveshjen bilaterale për Sigurimet Shoqërore (që e kishte të nënshkruar atëherë me ish-Jugosllavinë). Ndërkohë ende nuk është negociuar marrëveshja e re e shtetit Zviceran me Republikën e Kosovës. Apelojmë te Qeveria që sa më parë të kthehet gjendja në normalitet.

Nuk duhet harruar me këtë rast as pensionistët që marrin pensione nga buxheti i Kosovës, të cilët nuk mund të lidhin muajin me muaj me pensionin që marrin. PSK angazhohet për trajtim më të mirë të pensionistëve dhe apelon te Qeveria që të ketë në konsideratë çështjen e pensionistëve.

Kryesia e Partisë Socialiste të Kosovës
Kryetari Ilaz Kadolli

Page 10 of 29

Xhirollogaria

Emri:
PARTIA SOCIALISTE E KOSOVËS

Emri i bankës:
ProCredit Bank

Numri i xhirollogarisë:
1110084180000126

Swift Code:
MBKORS22

Adresa:
Prishtinë, 10000, Kosovë

PSK - parimet themelore

Partia Socialiste e Kosovës u krijua si domosdoshmëri politike, pas krijimit të rrethanave të reja kombëtare: çlirimit të vendit, shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran e i pavarur.

PSK do të jetë subjekt politik i së majtës europiane, që respekton pluralizmin demokratik dhe vlerat e  shoqërisë qytetare.

Veprimtarinë e saj politike do ta udhëheqin parimet dhe vlerat e mirëfillta demokratike.

Ajo do të angazhohet për një shoqëri të lirë demokratike, që respekton vullnetin, tolerancën, diversitetin e njerëzve dhe liritë e të drejtat qytetare.

PSK do të angazhohet për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për zhvillimin e natyrshëm  të vendit në ritmin modern të botës.

PSK do të jetë e hapur për bashkëpunim të barabartë me të gjitha subjektet politike kombëtare e ndërkombëtare për çështjet me interes të përbashkët për vendin e më gjerë.


Lexo programin...