Rrjeta e PSK
PSK përshëndet vendimin e GJND-së
Prishtinë, 24 korrik 2010
Partia Socialiste e Kosovës përshëndet vendimin e drejtë dhe profesional të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, ka thënë në konferencën për shtyp Ilaz Kadolli, kryetar i partisë. Konsiderojmë se ky vendim është në përputhje të plotë me vullnetin politik të qytetarëve të Kosovës. Tani Kosova e ka pavarësinë e vet të vërtetuar edhe ne gjykatën më të rëndësishme ndërkombëtare si korrekte në raport me të drejtën ndërkombëtare.
Shpresojmë se tani e tutje, pasi që ky problem politik është hequr nga rendi i ditës, qeveria e Kosovës do të merret më tepër me problemet jetike të qytetarëve të Kosovës dhe me përmirësimin e gjendjes së tyre të rëndë ekonomike.
SPD premton përkrahje të plotë politike për PSK-në
Me datën 20.07.2010, përfaqësuesi i Partisë Socialiste të Kosovës në Gjermani Begzad Gashi u takua me përfaqësues të lartë të Partisë Socialdemokrate (SPD) të Gjermanisë.
Në takim u diskutuan tema me rëndësi të përbashkët për të dy partitë simotra, të majta. Në këtë takim u arrit marrëveshja që SPD të përkrah PSK-në në të gjitha fushat politike në Kosovë dhe në Evropë.
Programi i PSK-së ishte i pranueshëm për palën gjermane, me pak vërejtje në leminë e ekonomisë dhe të punësimit, veçmas në lidhje me Trepçën, por u tejkaluan duke pasur parasysh edhe shpjegimin e z. Gashi.
Ndërsa nga 15 tetori gjer më 15 nëntor, pritet që një delegacion i SPD-së të vizitojë Partinë Socialiste të Kosovës.
Po ashtu një grup të rinjsh të majtë nga java e parë e shtatorit do të vizitojnë Ballkanin, dhe nga data 4 ose 5 shtator do të vizitojnë edhe Prishtinën dhe përfaqësues të Partisë Socialiste të Kosovës.
PSK: Ideja për ndarjen e Kosovës është e patolerueshme

Propaganda që po qarkullon kohëve të fundit për ndarje të Kosovës është e rrezikshme për destabilizimin e Kosovës. Ata që propagandojnë këtë ide të rrezikshme kanë për qëllim jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por synim kryesor kanë destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe shkatërrimin e Maqedonisë. Për Partinë Socialiste të Kosovës kjo ide është e patolerueshme. Kosova nuk ka tokë për t’i falur askujt”.
Prishtinë, 17 korrik 2010
Sekretari organizativ i Partisë Socialiste të Kosovës, Arben Rashkaj, ka mbajtur të shtunën një konferencë shtypi. Rashkaj, në fillim të konferencës, duke folur për opinionin e GJND-së që pritet të jepet së shpejti, tha se PSK kërkon nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin veprime të shpejta duke hartuar një plan efektiv bashkë me miqtë ndërkombëtarë, i cili do të orientonte me saktësi diplomacinë tonë për të siguruar njohje të reja duke i bindur të gjithë skeptikët se pavarësia e Kosovës ka qenë vendim i drejtë konform vullnetit politik të popullit të Kosovës.
“Edhe pak ditë kanë mbetur deri në shpalljen e opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës. Pasojat e këtij opinioni do të reflektojnë një ndikim të jashtëzakonshëm për fatin e shtetit tonë në raportet me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me shtetet që nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës. Përderisa shteti Serb publikon strategjinë e tij pas këtij opinioni të GjND-së, institucionet e Kosovës, e sidomos Qeveria, mjaftohen duke deklaruar se opinioni i GJND-së do ta jetë në favor të Kosovës, duke mos projektuar asnjë plan veprimi të mëpastajshëm diplomatik po të ndodhë e kundërta e asaj që beson Qeveria.
Kjo situata është shqetësuese dhe si e tillë ka shkaktuar një ankth të panevojshëm tek qytetarët e Kosovës në pritje të 22 korrikut, tha Rashkaj.
Sekretari Organizativ i PSK-së foli edhe për propagandën që po qarkullon kohëve të fundit për ndarje të Kosovës, për të cilën tha se është e rrezikshme për destabilizimin e Kosovës. “Ata që propagandojnë këtë ide të rrezikshme kanë për qëllim jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por synim kryesor kanë destabilizimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe shkatërrimin e Maqedonisë”, tha Rashkaj.
Ai tha se “për Partinë Socialiste të Kosovës ideja për ndarjen e Kosovës është e patolerueshme. Kosova nuk ka tokë për t’i falur askujt”.
Rashkaj në konferencën për shtyp ka vënë theksin edhe në shkarkimet e zyrtarëve të lartë të qeverisë. “Me shkarkimet e fundit të zyrtarëve të lartë të qeverisë, me arsyetimin se kanë keqpërdorur dhe keqmenaxhuar fondet publike, shihet qartë se në çfarë lartësie të frikshme ka arritur shkalla e korrupsionit në këtë qeveri, e cila që tre vite po qeverisë vendin me njerëz të papërgjegjshëm”, konstatoi Rashkaj.
Ai tha se PSK inkurajon organet e hetuesisë dhe të drejtësisë, të cilat duket se kanë ndërmarrë një aksion hetimi në shkallë të gjerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar bashkë me strukturat e EULEX-it, rezultati i të cilave shpresojmë të jetë ndëshkimi i të gjithë atyre që janë të përfshirë në afera korruptive, të cilët me veprimet e tyre të papërgjegjshme i kanë shkaktuar dëme të mëdha shtetit dhe taksapaguesve.
Sekretari organizativ i PSK-së, Arben Rashkaj, duke folur për privatizimin tha se ai po bëhet në formën më të egër dhe më të pa zakonshme. “Bashkë me privatizimin e ndërmarrjeve publike filluan edhe shumë afera korruptive, të cilat sot janë objekt hetim nga EULEX-i, siç është rasti me PTK-në, ku institucionet kompetente vendore nuk kishin aftësi por dhe të ndikuara nga politika asnjëherë nuk kanë arritur të ndërmarrin veprime të nevojshme për ta goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar”, tha Rashkaj.
Sipas ministrit të Ekonomisë dhe Financave, z.Ahmet Shala, shitja e PTK-së do të ketë çmimin prej 300 deri 600 milionë. Kjo është logjikë e gabuar ekonomike, ngase PTK-ja këtë shumë parash e derdhë në buxhetin e Kosovës për 5 vite dhe PTK prapë mbetet në pronësi të shtetit.
PSK bënë thirrje që të ndërpriten praktikat e deritashme të privatizimit dhe të hartohet një tjetër strategji e privatizimit, e cila efektivisht do ta ndihmonte ngritjen e ekonomisë së venitur të Kosovës, tha në fund të konferencës për shtyp Arben raskaj, sekretar organizativ i PSK-së.
Page 4 of 29





