Sunday Sep 05

STATUTI I PARTISË SOCIALISTE TË KOSOVËS

HYRJE

PSK është organizatë politike, demokratike.

Për realizimin e Programit, PSK organizohet dhe punon në bazë të normave të saj të brendshme të shprehura në këtë Statut.

I
SELIA, VULA DHE EMBLEMA

1. Selia e PSK-së është në Prishtinë.
2. PSK ka vulën me tekstin: PSK.
3. PSK ka emblemën: trëndafili rozë me gjethe të gjelbërta.

II
ANËTARËSIA NË PSK


4. PRANIMI NË PSK

4.1 Anëtar i PSK-së mund të bëhet çdo person madhor, pa dallim gjinie, gjendjeje ekonomike, shtrese shoqërore  dhe bindjeje fetare, i cili:

- ka mbushur moshën 18 vjeçe;   
- pranon Programin e PSK-së, dhe punon për zbatimin e tij;
- pranon Statutin e PSK-së, dhe punon sipas kërkesave të tij.
 
4.2 Anëtarësimi në PSK është vullnetar.
 
4.3 Pranimi anëtar i PSK-së bëhet individualisht dhe sipas kërkesës personale.
 
4.4 Vendimi për pranim merret nga mbledhja e Këshillit të PSK dhe hyn në fuqi menjëherë. Anëtari i PSK-së pajiset me dokumentin e anëtarësisë.
 
5. DETYRAT DHE TË DREJTAT E ANËTARIT TË PSK-së
 
5.1 Anëtari i PSK-së ka për detyrë
 
- Të zbatojë Programin, Statutin dhe vendimet e organeve udhëheqëse të PSK-së;
- Të luftojë për mbrojtjen e vendit dhe për të drejtat kombëtare e demokratike;
- Të ruajë bashkimin dhe unitetin e radhëve të PSK-së;
- Të bëjë pjesë në një këshill të PSK-së ;
- Të paguajë rregullisht kuotën e anëtarësisë;
- Të mos bëjë pjesë në parti dhe organizata të tjera politike brenda ose jashtë vendit;
- Të mos kandidohet si i pavarur ose për forcat e tjera politike dhe as të kontribuojë  në favor të tyre në fushatat zgjedhore;
- Të mos marrë pjesë në manifestime që bien ndesh me qëndrimet politike të PSK-së;
- Të respektojë disiplinën e organizatës dhe të kontribuojë për forcimin e kohezionit të saj;
- Të punojë për rritjen e ndikimit të PSK-së, në komunitetin përkatës dhe për shtimin me anëtarë të rinj të radhëve të saj.

5.2 Anëtari i PSK-së ka të drejtë
 
- Të marrë pjesë në diskutimin e çështjeve të organizimit, të vijës politike dhe të punëve e detyrave që organizata ia ka parashtruar vetvetes;
- Të jetë i informuar dhe të bëjë pyetje, kritikë, kërkesë, njoftim, propozim e ankesë në të gjitha instancat e PSK-së;
- Të zgjedhë dhe të zgjedhet në organet e PSK-së;
- Të propozojë dhe të propozohet kandidat - përfaqësues i PSK-së, në organet e shtetit legjislativ dhe ekzekutiv;
- Të njihet me veprimtarinë e përfaqësuesve të PSK-së në organet e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv e të bëjë vlerësime për punën e tyre;
- Të mbrohet nga PSK-ja kur ai sulmohet dhe persekutohet për bindjet e tij politike;

6. NDËRPRERJA E PËRKOHSHME E ANËTARËSISË DHE LARGIMI NGA PSK

6.1 Anëtari i PSK-së mund të kritikohet, t’i tërhiqet vërejtja, të pezullohet ose të përjashtohet kur shkel rëndë normat e Programit e të Statutit të organizatës.
6.2 Ndaj anëtarit të PSK-së që shkel vendimet e forumeve të saj ; cenon normat shoqërore, që burojnë nga Programi dhe Statuti i PSK-së ; nuk paguan kuotën e anëtarësisë ; mungon pa arsye në mbledhjen e këshillit ose në organet ku është zgjedhur për më shumë se 6 muaj dhe me veprimin e tij nuk justifikon qenien në PSK ose në organet e saj drejtuese, sipas shkallës së përgjegjësisë, merren këto masa:
 
a - Këshillim;
b - Shkarkim nga organet e zgjedhura të PSK-së;
c - Çregjistrim nga PSK-ja;
d - Heqje e mbështetjes politike për mandatin e marrë.
 
6.3 Shqiptimin e masave e bën këshilli ose organi në të cilin bën pjesë anëtari, ose me propozim të një organi drejtues. Ai hyn në fuqi pasi të miratohet nga Kryesia e Këshillit Drejtues të Rrethit.
Shkarkimi nga detyra dhe çregjistrimi nga PSK i anëtarit të Këshillit Drejtues të Rrethit ose të Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së, vendoset nga organi ku ai është zgjedhur.
 
6.4 Anëtari, ndaj të cilit merren masat statutare, ka të drejtë ankese në organet më të larta të organizatës. Ankesa paraqitet në organin, që ka shqiptuar masën. Nëse ankesa nuk merret parasysh, ajo i drejtohet organit më të lartë.
6.5 Heqjen e dënimit e bën organi që e ka shqiptuar dënimin.

III
STRUKTURA ORGANIZATIVE NË PSK

 
7. ORGANET DREJTUESE QENDRORE TË PSK-së

7.1 Kongresi  është organi më i lartë i PSK-së.
7.2 Në Kongres marrin pjesë delegatët nga bazat, të formuara së paku, dy muaj para Kongresit, anëtarët e KP-së dhe shoqatat e përkrahësve të PSK-së jashtë territorit administrativ të Kosovës.
7.3 Delegatët kanë mandat dyvjeçar dhe thirren sipas nevojës nga Këshilli i Përgjithshëm i PSK-së.
7.4 Delegatët për në Mbledhje të Përgjithshme të PSK-së zgjedhen nga Kuvendi i Këshillit të Rrethit të PSK-së. Normat e përfaqësimit vendosen nga Këshilli i Përgjithshëm i PSK-së.
7.5 Kongresi  i PSK-së mbahet një herë në tri  vjet. Kongresi i jashtëzakonshme mund të thirret nga KP-ja, ose me kërkesën e një të tretës të këshillave të rretheve.
7.6 Thirrja dhe rendi i ditës për Kongres bëhet, së paku, një muaj përpara mbajtjes së tij.
7.7 Kongresi shqyrton dhe miraton raportin e KP-së dhe raportet e tjera të organeve e komisioneve të PSK-së; përcakton vijën politike e organizative të PSK-së dhe detyrat e saj deri në Mbledhjen tjetër të Përgjithshme; zgjedh Këshillin e Përgjithshëm, zgjedh kryetarin e PSK-së me vota të fshehta me më shumë kandidatë, Këshillin Mbikëqyrës prej 3 anëtarësh dhe miraton Programin, Statutin, Rregulloren e Punës dhe akte të tjera .
Numri i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm përcaktohet nga Kongresi. Kryetarët e Këshillave të Rrethit, Kryetari i të Rinjve të PSK-së, dhe Kryetarja e Forumit të Gruas të PSK-së, bëhen drejtpërdrejt anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.
7.8 Numri i anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të zgjedhur drejtpërdrejt nuk guxon të kalojë 1/3 e anëtarësisë së plotë të Këshillit të Përgjithshëm.
7.9 Këshilli i Përgjithshëm zgjedh kryesinë e tij dhe sekretarët. Numri i sekretarëve dhe funksionet përkatëse përcaktohen nga Këshilli i Përgjithshëm. Kryetari i PSK-së, ka të drejtën e paraqitjes së një kandidati alternativ për secilën nga funksionet e mësipërme.
7.10 Kongresi  vendos për shpërndarjen e PSK-së apo për bashkimin e PSK-së, me subjektet dhe partitë tjera politike.

8. KËSHILLI MBIKËQYRËS

8.1 Këshilli Mbikëqyrës kontrollon rregullsinë e funksionimit sipas Statutit të organeve ekzekutive të PSK-së dhe bën zgjidhjen e kontesteve brenda PSK-së, lidhur me interpretimin e Statutit.
8.2 Anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund të jenë anëtarë të organeve qendrore të PSK-së.
8.3 Këshilli Mbikëqyrës nuk mund të rishqyrtojë vendimet e Mbledhjes së Përgjithshme të PSK-së,
8.4 KM përbëhet prej 3 anëtarëve.
8.5 Kandidati, për t’u zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, në momentin e zgjedhjes duhet të jetë të paktën 5 vjet anëtar i PSK-së.

9. KËSHILLI I PËRGJITHSHËM I PSK-së
 
9.1 Këshilli i Përgjithshëm (KP) udhëheq punën politiko-organizative ndërmjet dy Mbledhjeve të Përgjithshme të PSK-së. Në rast nevoje, formon komisione të veçanta.
Merr qëndrime e vendime të karakterit tekniko-organizativ, shqyrton propozime, ankesa e sugjerime dhe zgjedh Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm.
9.2 KP i raporton dhe i përgjigjet Mbledhjes së Përgjithshme.
Këshilli i Përgjithshëm i zhvillon punimet e tij në bazë të rregullores së Këshillit të Përgjithshëm, e cila hartohet nga Kryesia e tij dhe miratohet nga Këshilli i Përgjithshëm i PSK-së.
9.3 KP vendos për hyrjen e PSK-së, në koalicion elektoral me subjektet dhe partitë tjera politike.
9.4 Këshilli i Përgjithshëm i PSK-së, mblidhet jo më rrallë se një herë në 3 muaj, me kërkesën e Kryesisë, të Kryetarit të PSK-së, ose të jo më pak se 1/3 së anëtarëve të tij.
 
10. KRYESIA E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM TË PSK-së
 
10.1 Kryesia është organ ekzekutiv i KP-së, e cila, në bazë të orientimeve e vendimeve të Kongresit  dhe të KP-së, përcakton e konkretizon detyrat që dalin prej tyre. Kryesia thërret e drejton mbledhjet e KP-së, paraqet raporte dhe i përgjigjet atij.
- Zbaton vendimet e organeve drejtuese qendrore (Mbledhjes së Përgjithshme dhe Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së)
- Përpunon qëndrimet politike aktuale dhe organizon e drejton veprimtarinë e përgjithshme të PSK-së.
- Ndihmon dhe kontrollon organet drejtuese të PSK-së në rrethe, për zbatimin e vendimeve të organeve qendrore (Mbledhjes së Përgjithshme, Këshillit të Përgjithshëm).
- Vendos për strukturën e aparatit politik e administrativ të Këshillit të Përgjithshëm, të institucioneve të tjera qendrore të PSK-së dhe të Këshillave të Rretheve.
- Nxjerr udhëzime në përputhje me Statutin e PSK-së, dhe në zbatim të vendimeve që merren në Mbledhje të Përgjithshme, dhe në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.
- Mund të propozojë në Kuvendin e Këshillit të Rrethit, kandidaturë për kryetarin e Këshillit të Rrethit të PSK-së në Rrethe.
- Ka të drejtën e pezullimit të vendimit të Kryesisë së Këshillit Drejtues të Rrethit, kur ai bie ndesh me Statutin dhe Programin e PSK-së dhe vendos rishqyrtimin e vendimeve të marrura ose shqyrtimin e problemeve në mbledhje të rretheve. Nëse forumet vendore të PSK-së, vendosin ndryshe, Kryesia e PSK-së merr vendimet përkatëse.
- Propozon kandidatët për kryetarë të komisioneve dhe të delegacioneve të përhershme të Kuvendit të Kosovës dhe ia paraqet për votim Grupit Parlamentar të PSK-së.
- Përgjigjet për veprimtarinë ekonomike e financiare në PSK.
- Miraton dhe kontrollon shpërndarjen e mjeteve materiale e financiare të PSK-së.
- Mund të sugjerojë pranë Këshillit të Rrethit të PSK-së në rrethe zëvendësimin e kryetarit ose të drejtuesve të tjerë të PSK-së të rrethit, për dobësi të theksuara në punë ose për arsye të tjera të argumentuara.
- Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së, në frymën e normave të këtij Statuti dhe për të organizuar funksionimin e saj në ekipe, përcakton ndarjen e punëve e të përgjegjësive për Kryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm dhe sekretarët, që ndjekin zbatimin e përditshëm të detyrave, dhe për anëtarët e tjerë të saj. Ky organizim përcaktohet në rregulloren e brendshme dhe për të informohet Këshilli i Përgjithshëm i PSK-së.
- Kryesia e Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së mblidhet jo më rrallë se një herë në muaj.

10.2 Kryetari i PSK-së dhe kompetencat kryesore të tij
 
- Kryetari i Partisë Socialiste të Kosovës është drejtuesi kryesor, i cili është përgjegjës për drejtimin dhe koordinimin e veprimtarisë së përditshme të PSK në zbatimin e vijës politike të përcaktuar nga Kongresi dhe organet drejtuese të PSK, të Statutit dhe rregulloreve të ndryshme.
- Ka të drejtën e kërkesës për rishqyrtim të vendimit të Kryesisë së PSK, në Këshillin e Përgjithshëm të PSK-së, kur e gjykon të nevojshme.
 
Kryetari i PSK ka këto kompetenca kryesore
 
- Thërret dhe drejton mbledhjen e Kryesisë;
- Koordinon dhe drejton punën e Sekretarëve të PSK-së;
- Propozon në Kryesi masa të veçanta në zbatim të Statutit;
- Mban mbledhje të rregullta javore me kryetarë të Këshillave të Rrethit të PSK-së.

10.3 Sekretari i Përgjithshëm dhe sekretarët e Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.
- Sekretari i Përgjithshëm ka për detyrë koordinimin dhe funksionimin e veprimtarisë së Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së, përgatitjen e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, si dhe ndjekjen dhe kontrollin e zbatimit të vendimeve të detyrave të Këshillit të Përgjithshëm.
- Sekretari i Përgjithshëm në mungesë të Kryetarit ushtron të gjitha kompetencat e tij.
- Sekretarët drejtojnë sektorë të caktuar të veprimtarisë së përditshme të PSK-së.

10.4 Pranë Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së, dhe Këshillave Drejtuese të Rrethit, sipas mundësisë financiare krijohen aparate politike e administrative, veprimtaria e të cilave ka karakter konsultativ dhe teknik.

11. ORGANIZIMI TERRITORIAL
 
11.1 PSK është e organizuar mbi bazë të parimit territorial.
11.2 Njësia themelore e PSK-së është Këshilli Popullor i Lagjes, i cili ka së paku 5 anëtarë. Të gjithë këshillat e lagjeve në fshat formojnë Këshillin e Fshatit të PSK-së. Të gjitha këshillat e lagjeve në qytet formojnë Këshillin e Qytetit të PSK-së.
11.3 Në mbledhjet dhe veprimtaritë e Këshillit Popullor të PSK-së mund të ftohen të marrin pjesë edhe përkrahës të PSK-së.
11.4 Për drejtimin e punëve të përditshme, Këshilli Popullor i Lagjes i PSK-së zgjedh Kryetarin, Sekretarin dhe Arkëtarin.
11.5 Një herë në tri vjet mbahet mbledhja zgjedhore në të cilën bëhet analiza e veprimtarisë, në prag të Kuvendit të Këshillit të Rrethit të PSK-së.
11.6 Këshilli Popullor i PSK-së ka detyra kryesore:
- Të marrë pjesë në përpunimin, zbërthimin dhe zbatimin e politikës së PSK-së, Programit dhe Statutit të saj;
- Të përpunojë, zbërthejë dhe zbatojë politikën e PSK-së, bazuar në Programin, Statutin dhe vendimet e organeve drejtuese, në kushtet konkrete të territorit ku vepron ajo;
- Të mbajë dhe të zhvillojë lidhje me përkrahësit e PSK-së;
- T’u përçojë strukturave drejtuese të PSK-së informacionin mbi opinionin publik për çështje të rëndësishme sociale e politike, kryesisht për njësinë administrative për të cilën ajo përgjigjet ;
- Të zgjerojë ndikimin e PSK-së në shtresat e ndryshme të shoqërisë;
- Të shprehë dhe të mbrojë interesat e anëtarëve e përkrahësve të saj dhe të cilitdo individ ose grupim tjetër shoqëror, kur e vlerëson të drejtë;
- Të mbajë lidhje me organizatat publike, shoqatat dhe forcat e tjera politike në territorin ku ajo vepron, në përputhje me Programin dhe objektivat e PSK-së;
- Të punojë për shtimin e radhëve të PSK-së;
- Të respektojë mendimin e çdo individi brenda dhe jashtë radhëve të saj, në marrëdhënie me të;
- Të mbajë qëndrim ndaj cilitdo anëtar të saj që shkel normat që shprehen në këtë Statut dhe Program të PSK-së ;
- Të përgatisë, organizojë dhe menaxhojë fushatën zgjedhore në territorin e qendrës së votimit në të cilën vepron.

12. ORGANET DREJTUESE VENDORE TË PSK-së
 
12.1 Këshilli i Rrethit të PSK-së organizohet në nivel të njësisë administrative të Komunës.
12.2 Kuvendi i Këshillit të Rrethit, është organi më i lartë vendimmarrës i PSK-së në Rreth.
12.3 Kuvendi i Këshillit të Rrethit mbahet një herë në dy vite.
12.4 Kuvendi i Këshillit të Rrethit, zgjedh Këshillin Drejtues të Rrethit të PSK-së.
12.5 Kryetarët e Këshillave të Fshatit dhe Kryetari i Këshillit të Qytetit, Kryetarja e Organizatës së Gruas, dhe kryetari i Rinisë, së rrethit caktohen drejtpërdrejt anëtarë të Këshillave Drejtuese të Rrethit të PSK-së.
12.6 Kuvendi i Këshillit të Rrethit zgjedh delegatë për Mbledhjen e Përgjithshme të PSK-së, dhe propozon nga anëtarë të PSK-së, brenda ose jashtë rrethit kandidatët për anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.
12.7 Këshilli Drejtues i Rrethit drejton veprimtarinë e PSK-së në Rrethe (komunë), ndërmjet dy Kuvendeve të Këshillit të Rrethit të PSK-së.
12.8 Këshilli Drejtues i Rrethit me votim të fshehtë e me disa kandidatë, zgjedh Kryetarin dhe Kryesinë e Këshillit Drejtues të Rrethit.
12.9 Në mungesë të Kryetarit të Këshillit të Rrethit, detyrat e tij i kryen Sekretari i Përgjithshëm i Kryesisë së Këshillit Drejtues të Rrethit i PSK-së.
 
13. KËSHILLI DREJTUES I RRETHIT I PSK-së
 
- Punon dhe përgjigjet për zbatimin në Rreth të Programit, të Statutit dhe të vendimeve të Kuvendit të Këshillit të Rrethit të PSK-së e të organeve qendrore drejtuese të PSK-së;
- Udhëzon, ndihmon dhe kontrollon këshillat popullor të lagjeve, këshillat popullor të fshatrave dhe të qytetit, në veprimtarinë e tyre politike dhe propagandistike;
- Mund të vendosë për shpërndarjen e një ose më shumë këshillave popullor që varen prej tij, kur vëren se ato shkelin Statutin ose veprojnë në kundërshtim me Programin e PSK-së;
- Mund të sugjerojë, pranë këshillit popullor të lagjes, fshatit dhe qytetit, zëvendësimin e drejtuesve përkatës, për arsye dobësish të theksuara në punë ose për arsye të tjera të argumentuara;
- Krijon komisione të përhershme pune, të cilat raportojnë para tij për punën e tyre;
- Miraton fondet e PSK-së në nivel Rrethi, administron dhe kontrollon mbledhjen e kuotës së anëtarësisë, arkën, aktivitetin ekonomik dhe pasuritë e tjera materiale të PSK-së, dhe zbatimin e rregullave për përdorimin e tyre;
- Raporton për veprimtarinë e tij në Kuvendin e Këshillit të Rrethit, Këshillin e Përgjithshëm të PSK-së dhe Kryesinë e Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.

13.1 Kryesia e Këshillit Drejtues të Rrethit të PSK-së
 
- Punon dhe përgjigjet për plotësimin e detyrave të caktuara nga Këshilli Drejtues i Rrethit dhe nga organet drejtuese qendrore;
- Organizon dhe miraton ngritjen e strukturës organizative të PSK-së në rreth;
- Vendos për krijimin e njësive të reja të këshillave popullor të PSK-së në Rreth;
- Verifikon, shqyrton dhe vendos mbi ankesat e paraqitura nga anëtarët e PSK-së ndaj vendimeve të organeve të PSK-së;
- Përgjigjet për ruajtjen dhe administrimin e materialeve dokumentare të PSK-së në administratën e Këshillit Drejtues dhe pranë këshillave popullor të PSK-së;
- Miraton fondet e PSK-së brenda rrethit, administron dhe kontrollon mbledhjen e kuotës së anëtarësisë, arkën, pasuritë e tjera materiale të PSK-së dhe zbatimin e rregullave për përdorimin e tyre;
- Raporton për veprimtarinë e saj në organet e PSK-së, në Kuvendin e Këshillit të Rrethit, në Këshillin Drejtues të Rrethit, në Këshillin e Përgjithshëm dhe në Kryesinë e tij, në mbledhjet e rregullta javore të Kryetarit të PSK-së, me kryetarë të këshillave të rrethit të PSK-së;
- Kryesia e Këshillit Drejtues të PSK-së, në Rreth, në frymën e normave të këtij Statuti dhe për të organizuar funksionimin e saj në ekip, përcakton ndarjen e punëve e të përgjegjësive për kryetarin dhe sekretarët, që ndjekin zbatimin e përditshëm të detyrave dhe për anëtarët e tjerë të saj. Ky organizim përcaktohet në rregulloren e brendshme dhe për të informohet Këshilli Drejtues i Rrethit;
- Kryesia e Këshillit Drejtues të PSK-së, në rreth mban mbledhje të rregullta javore me kryetarë të Këshillave të Fshatrave, me kryetarë të Këshillave të Lagjeve të qytetit dhe me kryetarin e Këshillit të Qytetit.

IV
SHOQATAT E PËRKRAHËSVE TË PSK-së

 
14. Jashtë territorit administrativ të Kosovës, PSK organizon shoqata të përkrahësve të saj.

V
ORGANIZATA E GRUAS


15. PSK ka organizatën e gruas.

VI
FORUMI I TË RINJVE TË PARTISË SOCIALISTE TË KOSOVËS

 
16. FRPSK është organizatë politike vepruese brenda strukturave të PSK-së, e cila bashkon të rinj e të reja anëtarë të PSK-së.
 
16.1 Në FRPSK mund të anëtarësohen të rinj e të reja të PSK-së të moshës 18 – 31 vjeç. Përjashtim nga ky kriter bëhet vetëm për kryetarin e FRPSK.
16.2 Programi dhe veprimtaria e FRPSK, përputhen në përmbajtje me Programin, Statutin dhe veprimtarinë e PSK-së në tërësi.
16.3 FRPSK ka përfaqësuesit e propozuar prej saj, në të gjitha organet drejtuese lokale e qendrore të PSK-së. Normat e përfaqësimit të tyre, në këto organe, janë në raport me vendin që zë në efektivin e PSK-së në Rrethe e në tërësi.

VII
SHTYPI DHE MJETET E INFORMIMIT PUBLIK TË PSK-së

 
17. PSK ka faqen zyrtare të internetit dhe organin e saj gazetën «Zëri i Kosovës», e cila bën punën propagandistike në bazë të Programit, vendimeve të Kongresi , KP dhe Kryesisë së PSK-së.

17.1 Drejtorin e shtypit dhe mjeteve të informacionit e emëron Kryesia e PSK-së.

VIII
FUNKSIONIMI I PARTISË SOCIALISTE TË KOSOVËS


18. PARIMET THEMELORE

18.1 Pacenueshmëria e personalitetit dhe dinjitetit të anëtarit të PSK-së.
18.2 Demokracia e brendshme në PSK është kusht moral dhe organizativ i ekzistencës dhe i zhvillimit të saj.
18.3 Liria e zgjedhjes dhe votimi i fshehtë janë individuale dhe të garantuara.
18.4 Kolegjialiteti në drejtimin e PSK-së, në çdo pjesë të strukturës së saj.
18.5 Organet drejtuese të PSK-së përfaqësojnë dhe shërbejnë vullnetin e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj.
18.6 Delegatët zgjedhës, në të gjitha nivelet e zgjedhjeve, si rregull, kanë mandat në kohëzgjatje të njëjtë me të zgjedhurit e tyre.

19. DOKUMENTET BAZË

19.1 Dokumentet bazë mbi të cilat organizohet dhe funksionon PSK-ja janë Programi dhe Statuti i saj.
19.2 Programi dhe Statuti janë të hapur për çdo ndryshim që sjell zhvillim.
19.3 Programi dhe Statuti janë dokumentet bazë për cilindo anëtar dhe përkrahës në marrëdhëniet e tij me PSK-në dhe me përfaqësuesit e saj.

20. LIRIA E MENDIMIT NË PSK

20.1 PSK garanton, për të gjithë anëtarët e saj, lirinë e shprehjes me gojë e në shtyp, të mendimeve, pikëpamjeve, platformave, kritikës dhe autokritikës, që synojnë zbatimin dhe përmirësimin e Programit dhe Statutit.
20.2 Të zgjedhurit, në organet drejtuese të PSK-së, detyrohen që të mbledhin dhe të parashtrojnë mendimin e zgjedhësve të tyre.

21. MARRJA DHE ZBATIMI I VEDIMEVE
 
21.1 Vendimet merren me konsensus ose me votim.
21.2 Vendimi merret pas debatit dhe këmbimit të lirë të mendimeve. Vendimi i miratuar me shumicë votash është i detyrueshëm për të gjithë pjesëtarët e organit që e merr dhe për ata të cilëve u referohet ai.
21.3 Organet drejtuese qendrore detyrohen që, në rast mospajtimi me vendimet e organit drejtues lokal, të argumentojnë pranë tij domosdoshmërinë e ndryshimit të vendimit.
21.4 Sistemi i vendimmarrjes, i përcaktuar nëpërmjet këtij statuti dhe rregulloreve të miratuara nga forumet drejtuese të PSK, është detyrimisht i zbatueshëm për të gjitha nivelet e strukturave të PSK-së.

22. KOLEGJIALITETI, INICIATIVA PERSONALE DHE VETËVEPRIMI

22.1 Këshillat e PSK-së dhe organet drejtuese, në veprimtarinë e tyre, zbatojnë parimin e kolegjialitetit.
22.2 Anëtarët dhe të gjitha strukturat organizative të PSK-së vetëveprojnë në bazë të Programit dhe Statutit të PSK-së.
22.3 Anëtarët dhe përkrahësit e PSK-së mund të marrin iniciativë për krijimin e këshillave popullor. Vendimin për krijimin e tyre e merr Kryesia e Këshillit Drejtues të PSK-së në Rreth.

23. ZGJEDHJA NDËRMJET INDIVIDËVE KANDIDATË

23.1 Zgjedhja ndërmjet individëve kandidatë bëhet me vullnet të lirë dhe në mënyrë të fshehtë.
23.2 Kandidatët për anëtarë organesh drejtuese të PSK-së dhe kandidatët për përfaqësues të PSK-së në organet e pushteti legjislativ dhe ekzekutiv, për të gjitha nivelet, zgjedhën me votim të fshehtë dhe me disa kandidatë.
23.3 Përpilimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet për Kuvendet Komunale e bën Këshilli Drejtues i Rrethit të PSK-së, për komunën përkatëse. Organi më i lartë ekzekutiv, dhe as ndonjë organ tjetër i PSK-së, nuk mund të bëjë ndryshimin e këtyre listave.
23.4 Të gjithë anëtarët e PSK-së, personalisht ose në cilësinë e delegatit, kanë të drejtë të propozojnë kandidatë ose të kërkojnë heqjen e kandidaturave të paraqitura.
23.5 Kandidatët për anëtarë organesh drejtuese të PSK-së dhe kandidatët për përfaqësues të PSK-së në organet e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, për të gjitha nivelet, i paraqiten me të dhëna të plota individuale për veprimtarinë konkrete profesionale dhe të aktivitetit politik, mbledhjes që do të zgjedhë midis tyre.
Vlerësimi për çdo kandidat dhe vendimi për zgjedhjen ose moszgjidhjen e tij janë e drejtë ekskluzive e pacenueshme e zgjedhësit.
Kandidatëve u krijohen mundësi të barabarta për t’u shprehur e paraqitur në mjedisin përkatës.
Kandidati ka të drejtën e mospranimit të kandidaturës së vet.
23.6 Votimi për zgjedhjen ndërmjet kandidatëve për anëtarë forumesh drejtuese të PSK-së dhe kandidatëve për përfaqësues të PSK-së në organet e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv është i fshehtë dhe presupozon:

- Të paktën më shumë se një kandidat mbi numrin e vendeve;
- Kushte materiale që sigurojnë fshehtësi në votim individual;
- Komision të posaçëm për mbikëqyrjen e procesit të votimit;
- Përsëritja e zgjedhjeve për çdo shkelje të konstatuar në çast ose më vonë.

23.7 Organet qendrore të PSK-së, në rrethe dhe në qendër, kur nuk lejojnë kushtet për t’u bërë zgjedhje mund të kooptojnë anëtarë të rinj, deri në një të pestën e numrit të tyre fillestar.
23.8 Të zgjedhurit, në të gjitha nivelet e forumeve drejtuese të PSK-së, i nënshtrohen votëbesimit të zgjedhësve të tyre.
Të drejtën e propozimit për votëbesim e kanë, sipas rastit, 1/3 e anëtarëve të strukturave të PSK-së, dhe 1/3 e delegatëve të Kuvendit të Këshillit të Rrethit dhe të Mbledhjes së Përgjithshme të PSK-së.
23.9 Kërkesa për votëbesim në strukturat e PSK-së bëhet ekzekutive dhe shqyrtohet në organet përkatëse brenda 15 ditësh. Për shqyrtimin dhe marrjen e vendimit respektohen procedurat mbi të cilat është bërë zgjedhja. I votëbesuar quhet ai (ose ajo) që merr më shumë se 50% + 1 të votave.

24. TRANSPARENCA

24.1 Veprimtaria e organeve drejtuese të PSK-së është e hapur për anëtarët e saj. Dokumentet që e pasqyrojnë këtë veprimtari dhe vendimet që merren u bëhen të njohura anëtarëve të PSK-së nëpërmjet strukturave organizative, nëpërmjet shtypit ose mjeteve të tjera të PSK-së për informim publik.
24.2 Organet drejtuese raportojnë para anëtarëve  të PSK-së.
24.3 Anëtarët e organeve drejtuese të PSK-së kanë të drejtë të marrin pjesë në mbledhjet e strukturave të PSK-së, që varen prej tyre dhe të shfrytëzojnë materialet e nevojshme dokumentare.
24.4 Mbledhjet e strukturave dhe të forumeve drejtuese të PSK-së pasqyrohen, në mënyrë transparente, për opinionin publik përmes shtypit dhe mjeteve të tjera të informimit.

IX
PËRFAQËSUESIT E PSK-SË NË KUVENDIN E KOSOVËS DHE NË KUVENDET KOMUNALE


25. PSK zhvillon politikën e saj në organet e pushtetit shtetëror nëpërmjet përfaqësuesve të saj të zgjedhur në këto organe.

26. Deputetët e PSK-së të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës përbëjnë grupin parlamentar të PSK. Ky grup diskuton paraprakisht për çështjet, që do të shqyrtohen, përcakton taktikën e tij dhe shfaq e mbron në Kuvend qëndrimin e PSK-së në zbatim të Programit të saj.

27. Marrëdhëniet midis Grupit Parlamentar dhe PSK-së përcaktohen me rregullore të veçantë të Kryesisë së PSK-së.
Deputeti i PSK-së përmbush të gjitha detyrimet dhe kërkesat e rregullores së brendshme të grupit të deputetëve të PSK-së.

28. Përfaqësuesit e PSK-së të zgjedhur në komuna përbëjnë grupim përkatës të këshilltarëve të PSK-së. Grupi i këshilltarëve diskuton paraprakisht për çështjet që do të shqyrtohen në këshillin përkatës dhe përcakton qëndrimin e tij në zbatim të Programit të PSK-së dhe sipas veçorive të rrethit. Grupi zbaton vendimin e marrë me shumicë votash.
 
29. Deputeti që nuk zbaton vendimin e marrë, mund të çregjistrohet nga Grupi Parlamentar i PSK-së.

30. Përfaqësuesit e PSK-së, të zgjedhur deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe në organet e pushtetit komunal, kanë të drejtë të marrin pjesë përkatësisht në mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm dhe të Këshillit Drejtues të Rrethit.

31. Organizatat dhe organet drejtuese të PSK-së bëjnë vlerësime për veprimtarinë e përfaqësuesve të PSK-së në organet e pushtetit shtetëror, kur e konsiderojnë të nevojshme.

X
MJETET FINANCIARE E MATERIALE NË PSK

 
32. BURIMET FINACIARE E MATERIALE

32.1 Të ardhurat financiare të PSK-së dhe të organizatave të saj përbëhen nga kuota e anëtarësisë, nga buxheti i shtetit (sipas ligjit për financimin e partive politike), të ardhurat nga ndërmarrjet joprofitabël të PSK-së, veprimtarive botuese, nga ndihmat e anëtarëve dhe përkrahësve të PSK-së, si dhe nga të ardhurat e tjera, në përputhje me ligjet e shtetit.
32.2 Kuota mujore ose vjetore për anëtarët e PSK-së përcaktohet në fillim të çdo viti me vendim përkatës të Këshillit të Përgjithshëm të PSK-së.
32.3 Përdorimi i burimeve të paligjshme për financimin e veprimtarisë së PSK-së ose në emër të saj, është i papajtueshëm me normat morale dhe organizative të PSK-së.

XI
DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

 
33. Për shpërndarjen dhe pasurinë e PSK-së vendos Kongresi.

33.1 Nëse kjo çështje nuk bëhet përmes Mbledhjes së Përgjithshme të PSK-së, atëherë Kryetari i PSK-së, do të sigurojë që mjetet e PSK-së të shpërndahen si vijon:

a. mjetet e PSK-së të përdoren për përmbushjen e detyrimeve të PSK-së;
b. pasi të jenë përmbushur të gjitha detyrimet e PSK-së, çdo mjet i mbetur do t'u shpërndahet "Shoqatës së Familjes së Dëshmorëve të UÇK-së" dhe "Shoqatës së invalidëve të Luftës të UÇK-së"

34. Ndryshimet programore e statutare mund të iniciohen nga Komisioni Statutar i KP-së ose nga baza.

35. Ndryshimin e këtij Statuti e bën Kongresi.

36. Ky Statut hyn në fuqi ditën e miratimit.


Kongresi i parakohshëm Zgjedhor i Partisë Socialiste të Kosovës
Prishtinë, më 27 mars 2010

Xhirollogaria

Emri:
PARTIA SOCIALISTE E KOSOVËS

Emri i bankës:
ProCredit Bank

Numri i xhirollogarisë:
1110084180000126

Swift Code:
MBKORS22

Adresa:
Prishtinë, 10000, Kosovë

PSK - parimet themelore

Partia Socialiste e Kosovës u krijua si domosdoshmëri politike, pas krijimit të rrethanave të reja kombëtare: çlirimit të vendit, shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran e i pavarur.

PSK do të jetë subjekt politik i së majtës europiane, që respekton pluralizmin demokratik dhe vlerat e  shoqërisë qytetare.

Veprimtarinë e saj politike do ta udhëheqin parimet dhe vlerat e mirëfillta demokratike.

Ajo do të angazhohet për një shoqëri të lirë demokratike, që respekton vullnetin, tolerancën, diversitetin e njerëzve dhe liritë e të drejtat qytetare.

PSK do të angazhohet për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për zhvillimin e natyrshëm  të vendit në ritmin modern të botës.

PSK do të jetë e hapur për bashkëpunim të barabartë me të gjitha subjektet politike kombëtare e ndërkombëtare për çështjet me interes të përbashkët për vendin e më gjerë.


Lexo programin...