Rrjeta e PSK
PËR POLITIKËN NË KOSOVË
Duhet të hiqet bindja se Kosova dhe shqiptarët në Kosovë janë burim dhe
vend transit i krimeve dhe rrjeteve kriminale, i narkotikëve, i
prostitucionit, i korrupsionit, strehë për veprimtarit që në botë
cilësohen si veprimtari të ndaluara dhe kriminale.
Partia Socialiste e Kosovës këtë bindje mendon që mund ta zëvendësojë me një sy admirues për Kosovën nga bota përmes projektesh vizionare, praktike dhe afatgjata të tipit eurosocialist, duke harmonizuar zhvillimin ekonomik kujdesshëm dhe me përkushtim, me ndërtimin e një ambienti të sigurt social dhe të sigurisë në përgjithësi bazuar në arritje të vërteta demokratike.
Arben Rashkaj
1. Aktrimi përball ngjarjeve dhe politikave duke iu bërë bisht po karakterizohen në skenën tone politike. Ka dy vjet që kjo qeveri po i imiton qeveritë e mëparshme.
Kjo shoqëri po voton njerëzit të cilët shpresojnë se do të mësohen të bëjnë politikë. Kjo kushton kohë dhe para për buxhetin shtetëror dhe kjo barrë është çmimi që paguan vetë qytetari i Kosovës përveç taksave dhe tatimeve tjera. Si duket, banori i Kosovës jeton me qiranë më të lartë në botë në vendin e tij! Dhe s’ka se si të ketë zhvillim ekonomik sepse ky zhvillim është veç një ëndërr e cila është shndërruar në një makth shprese të cilës I përshtatet maksima popullore: “Një ditë do të bëhet mirë”. Cila është ajo ditë askush nuk e di dhe askush nuk mund ta përshkruajë se si do të dukej. Në fushatat zgjedhore të gjithë kanë plane dhe projekte, megaplane dhe megaprojekte, por plani kryesor I çdonjërës parti politike është t’i fitojnë zgjedhjet dhe t’i harrojnë projektet. Më vonë fillon epoka e të bërit politik spontane. Spontaniteti përkundrejt bërjes politikë shtetërore i sjell pasojat e mos-shtrirjes së pushtetit në tërë territorin e Kosovës, të një kushtetutshmërie e cila nuk zbatohet as nga vetë Prishtina zyrtare dhe të një gjyqësori I cili po krijon precedentë spektakularë.
2. Kosova nuk e zotëron tërë territorin e saj. Jo vetëm kjo qeveri, por edhe qeveritë e mëparshme nuk e kanë arritur ta shtrijnë për asnjë moment pushtetin e tyre matanë Ibrit. Ku mund të jenë çalimet dhe pengesat? Disa mund të mos kenë adresë as në Prishtinë e as në Mitrovicë, por shumë nga politikat e inkorporimit dhe shtrirjes së ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë adresën e saktë e kanë në pallatin e qelqtë të qeverisë dhe kjo nuk do koment. Njëra nga pengesat është paaftësia e institucioneve të Kosovës për të komunikuar drejt me ndërkombëtaret. Pikërisht kjo aftësi i ka munguar çdo qeverie, edhe kësaj aktuales po ashtu, e cila po dëshmohet dhe tani me sjelljen inferiore para tyre pa pasur asnjë nevojë. Ndodhë kështu ngase udhëheqësit tanë institucionalë ende nuk dinë të sillen si burrështetas. Komunikimi i drejtë me EULEX-in nuk është servilitet, por është zgjidhje. Të bësh politika kombëtare përkundrejt ndërkombëtarëve, kur këto politika të jenë të bazuara në projekte konkrete, nuk do të duheshin të cilësohen dhe nuk do të ishin servile. Por të mundohesh të bësh politika përkundrejt projekteve konkrete që po i dorëzohen EULEX-it nga Beogradi, duke i kundërshtuar në momentin e fundit, kjo vetëm se destruktive mund të jetë dhe aspak pragmatizëm institucional.
Kundërshtimet në momentin e fundit deri tash janë treguar si një mënyrë e gabuar dhe pa rezultate. Vazhdimi në këtë formë vetëm se do ta vë në pah politiken informale të kësaj qeverie e cila po i mbulon ngjarjet me ngjarje. Ndoshta loja që shoqëria t’i harrojë ngjarjet e mëdha me ngjarje tjera është zgjidhje, por jo zgjidhje e problemit. Ky bumerang politik koston e vetme e ka në popull dhe interesin e vendit, por dhe mbi vetë qeverinë. Të mohosh një problem nuk do të thotë që e ke përfunduar atë, andaj opinioni i Partisë Socialiste të Kosovës është të përballemi me çdo problem, ngjarje dhe krizë konkrete që na vjen si sfidë.
Qeveria e Kosovës duhet të zhvillojë aftësinë e parashikimit dhe analizimit paraprak të problemeve, sfidave që ajo duhet të përballet si detyrime ndërkombëtare dhe rajonale duke projektuar propozime konkrete për zgjidhjen e tyre. Kjo logjikë veprimi shtetëror do të prodhonte kompromise të imponuara dhe më pak të dhimbshme për Kosovën. Sigurisht që shteti ynë do të kalonte nga një aktor statik i politikës ku pret i befasuar dhe me frikë projekte nga Beogradi dhe EULEX në aktor aktiv i cili imponon zgjidhje të problemeve me të cilat herët a vonë do të përballet në emër të integrimeve si kushte të veçanta që duhet plotësuar.
Është tragjik fakti që qytetarët e Kosovës të pësojnë për faj të paaftësisë së politikës që të veçohet nga popujt tjerë të cilët tanimë lëvizin lirshëm nëpër Evropë duke përfituar nga liberalizimi i vizave, e cila nuk bën gjë tjetër veçse bën kinse po qeveris dhe pushteti po funksionon ashtu siç kanë menduar votuesit.
Kjo ndodh kur nga vetë pushteti dhe pushtetarët nuk respektohen ligjet ose zbatohen deri aty ku nuk i rrezikon interesat e tyre personale dhe partiake. Kështu ndodh çdo ditë me kushtetutën e cila është cilësuar si kushtetuta më demokratike, e nëse është e tillë pse nuk mund të zbatohet?
3. Dualizmi politik po krijon edhe precedent ligjor. Ky tranzicion politik në disa qarqe krijon kushte të një korrupsioni të vijave politike dhe të një krimi të organizuar i cili nuk gjen gatishmërinë e politikës qendrore që ta luftojë, e aq më pak edhe të vetë sistemit ligjor i cili thuajse po mbahet i lidhur drejtpërdrejtë me politikën. Është fakt se në Kosovë ka disa pushtete të cilat do të duheshin të krijonin raporte të ekuilibruara dhe të mbanin qëndrime të bashkërenduara mirë përball shumë problemeve, siç është krimi I organizuar, i cili është instaluar në gjithë pushtetin pa përjashtim dhe është mjaft komplekse mënyra e funksionimit të tij. Edhe më komplekse do të ishte luftimi i tij nga mekanizmat kompetentë, sepse para së gjithash do të duhej të ndërmerreshin veprime të natyrës së hetimit për t’i identifikuar hallkat e organizimit të tij (krimit të organizuar), e pastaj të hartoheshin strategji operative për ta goditur aty ku efekti do të ishte afatgjatë dhe pozitiv. Kjo do të prodhonte pasoja pozitive në aspektin e edukimit të institucioneve qeverisëse dhe të gjitha institucioneve tjera të shtetit, për ta kuptuar njëherë dhe përherë që ata të cilët vijnë në pushtet të mos mendojnë që shteti është pronë e tyre por të kuptojnë me kohë që pushteti duhet t’i shërbejë qytetarit dhe interesave të vendit të tij, në fund edhe interesit personal.
Pra, bashkëpunimi më mekanizmat ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë është i domosdoshëm për të mundësuar arritje ekonomike, stabilitet politik, stabilitet social, funksionim të pavarur të organeve të drejtësisë, etj. Kjo i mundëson Kosovës të ketë një performansë dhe imazh pozitiv për BE dhe Botën në përgjithësi. Duhet të hiqet bindja se Kosova dhe shqiptarët në Kosovë janë burim dhe vend transit i krimeve dhe rrjeteve kriminale, i narkotikëve, i prostitucionit, i korrupsionit, strehë për veprimtaritë që në botë cilësohen si veprimtari të ndaluara dhe kriminale.
Partia Socialiste e Kosovës këtë bindje mendon që mund ta zëvendësojmë me një sy admirues për Kosovën nga bota përmes projektesh vizionare, praktike dhe afatgjata të tipit eurosocialist, duke harmonizuar zhvillimin ekonomik kujdesshëm dhe me përkushtim, me ndërtimin e një ambienti të sigurt social dhe të sigurisë në përgjithësi bazuar në arritje të vërteta demokratike.
Sigurisht që me këtë mendësi politike kjo nuk arrihet, por me kapërcimin nga ky stad i mentalitetit politik në një shkallë më të avancuar dhe për këtë PSK është e bindur se arrihet me kuadro të reja dhe me forca properëndimore.
/Autori është Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Kosovës/





