Rrjeta e PSK
PËR POLITIKËN DHE TË ARDHMEN E KOSOVËS
Shkruan: Arben RASHKAJ
1.Kufizimet politike të politikanëve tanë në përgjithësi, sidomos ata që ishin dhe janë në pushtet, në mënyrë të vazhdueshme nga paslufta e deri sot, kanë reflektuar mosbesim dhe pasiguri tek ndërkombëtarët duke bërë të ndihen skeptik në projektin e ndërtimit të Kosovës si një shtet modern.
Më të dëmtuarit në këtë rast janë qytetarët e Kosovës pa të drejtë, të cilët vazhdojnë të përballën me pasojat e një keqmenaxhimi qeverisës më parë nga përfaqësuesit e UNMIK-ut, ndërsa tani nga vendorët.
Dikush mund të thotë se çka hyn tani UNMIK-u këtu? E kam përmendur për të mos lejuar më arsyetimin e askujt, qofshin ata politikan në pushtet apo në opozitë, shumica prej tyre kanë bashkëqeverisur me strukturat e UNMIK-ut dhe e njohin mirë logjikën qeverisëse të këtij misioni ndërkombëtar. Çdo herë kur politikanët tanë gjenden në pozita të vështira para opinionit publik, arsyetohen duke i hedhur fajin pasojave historike që ka prodhuar ky mision.
Arsyetime të tilla tashmë janë të tejkaluara dhe si të tilla janë bërë banalitete për politikën në përgjithësi, nuk mund të arsyetohet paaftësia politike me pasojat historike të një dekade të kaluar, të një tranzicioni politik, i cili nuk ishte fare i dëshirueshëm por nuk mund të arsyetohet paaftësia dhe mospuna e pushtetit aktual në një realitet krejtësisht tjetër. Tani Kosova është shtet dhe askush nuk i ndalon institucionet e Kosovës të merren seriozisht me ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, askush nuk e pengon qeverinë të bëjë zhvillimin bujqësor, zhvillimin e biznesit, luftimin serioz të korrupsionit dhe krimit të organizuar qoftë ai në veri të Mitrovicës apo në pjesët tjera të vendit etj. Zgjidhja e këtyre problemeve do t’i jepnin Kosovës një impakt zhvillimi ekonomik dhe do të ndikonte ndjeshëm në uljen e papunësisë që vazhdon të rritet bashkë me varfërinë.
Partia Socialiste e Kosovës vazhdon të besojw në një vizion eurosocialist, i cili përveç synimit integrues që ka për Kosovën, së pari mendon se duhet të ngritet cilësia e jetesës në vend para se të ndodh integrimi, edhe po të donim ne nuk do të mund të integroheshim pa plotësuar kushtet e integrimit, të cilat tani më janë të njohura për të gjithë.
Integrimi nënkupton një bujqësi cilësore dhe konkurruese, një ambient të pastër dhe të mbrojtur nga shteti, një biznes të zhvilluar evropian i modeluar për ambientin e ekonomisë tonë, një treg financiar i balancuar dhe kredi më të buta për kredimarrësit dhe biznesin, një shëndetësi të avancuar publike me çmime ekuivalente me atë private, një industri të vogël cilësore por konkuruese, një arsimim kualitativ dhe një zhvillim shkencor të avancuar, zhdukje të varfërisë dhe mbi të gjitha një demokraci që trason rrugën drejt arritjes së standardeve perëndimore ku besimi i marr nga populli përmes votës së lirë të mos tjetërsohet dhe të mos keqpërdoret për interesa grupore apo personale etj.
Të gjitha këto e bëjnë Kosovën partnere serioze me Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Bashkimin Evropian.
2.PSK beson se Kosova dhe qytetarët e saj kanë brenda vetës potencialin krijues dhe aftësinë të menaxhojnë me fatin e tyre në të gjitha dimensionet e jetesë reale, si në aspektin politik që nënkupton udhëheqjen me institucionet e shtetit dhe diplomacinë ashtu edhe me menaxhimin e resurseve të brendshme ekonomike dhe tregtare.
Kuadrot e reja që kanë përfunduar studimet brenda vendit dhe sidomos ata që kanë studiuar jashtë kanë aftësinë e kuptimit dhe leximit të saktë të problemeve që i shqetësojnë qytetarët e Kosovës siç janë: Papunësia e cila kap shkallën më të lartë në rajon, varfëria e cila është ngulitur thellë në ekonomit familjare si një sëmundje kancerogjene duke deformuar jetën e tyre në aspektin social, shëndetësor, edukativ, shkaktare e një çorientimi në kuptim të planifikimit dhe menaxhimit të jetesës brenda familjes.
Kosova nuk mund të ndërtonte një ekonomi të zhvilluar dhe konkurruese për një periudhë të gjatë me këtë trend që ka sot pa shfrytëzuar kapacitetet e vërteta pasurore që numëron një listë të gjatë të tyre, të cilat janë në mëshirën e keqpërdoruesve abuziv që pa të drejtë dhe në mënyrë jo ligjore i shfrytëzojnë për interesin personal, para se gjithash pa planifikimin e duhur dhe menaxhimin e mirë me resurset njerëzore që nënkupton inkuadrimin e kuadrove të reja në sektorët kyç të shtetit dhe ekonomisë vendore, njohës të shkëlqyer të këtyre problematikave nuk mund të ketë zhvillim ekonomik. Por këto kuadro sot sillën rrugëve poshtë e përpjetë pa pasur mundësinë e inkuadrimit dhe punësimit. Investimi i familjeve për shkollimin e tyre konsiderohet i kotë sepse rezultati i këtij investimi është zero. Sot nuk kemi një klasë punëtorësh mbi meritokracinë, por mbi baza partiake.
3.Kërkesa e vazhdueshme jona drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare për të na ndihmuar nuk duhet kuptuar si kërkesë për lëmosh për shkak se kemi vuajtur shumë, por si një kërkesë e domosdoshme për ta jetësuar dëshirën e një populli që ka bërë dhe po bënë përpjekje ta ndërtojë fatin e tij vetë dhe të kontribuojë me vlerat e tij në pasurimin e mozaikut multikulturor global.
Për këtë me punën tonë duhet t’i tregojmë botës se këtij mozaiku i mungon diçka, i mungon një model i njeriut modern i ngjashëm me të gjithë popujt tjerë, por i ndryshëm si kulturë me vlera humaniste të çmuara, për çka kemi shembuj konkret të njohur, të cilët kanë lënë mbresa të pa shlyera në të gjithë botën.
Përse duhet të ketë dyshime për këtë fakt?, për shkak se shtetin tonë e udhëheqin njerëz të cilët nuk dinë të marrin vendime të thjeshta të guximshme dhe efikase, që u mungon refleksi qeverisës apo për arsye të pa aftësisë së klasës politike për të hulumtuar talentët e vërtet për avancime e jo si deri tash që është bërë hulumtim i servilëve të rinj, për të udhëhequr dhe implementuar projekte përparimtare për vendin.
Mendoj se këto mund të jenë arsye, por nuk duhet lejuar të bëhen pengesë për jetësimin e ëndrrës së paraardhësve e sidomos të rinjve që dëshirojnë të jetojnë një jetë ndryshe nga se kanë jetuar dje. Në këtë kohë ndryshimesh revolucionare teknologjike duhet punuar me aftësinë e duhur, me shpejtësinë e këtij zhvillimi, duke krijuar kushte optimale për të rinjtë, bartës të fatit për të ardhmen e tyre dhe brezave në vazhdim.
Për këtë PSK ka në projektin e saj politik mënyrën e kapërcimit me shpejtësi nga ky mentalitet politik në një shkallë më të avancuar të tij dhe mendon se asgjë nuk është e komplikuar kur ka vullnet dhe përpjekje serioze për të shkuar më tej, vetëm se duhen veprime të thjeshta të guximshme dhe inteligjente.
Kosova është mjaft e virgjër nëse mund ta quaj kështu në shfrytëzimin racional të burimeve njerëzore, pasuri kjo të cilën nuk e kanë shumë shtete të zhvilluar të botës, kur dihet se popullsia e Kosovës është kryesisht e re dhe për më tepër është një shoqëri në avancim, prandaj duhet një plan i detajuar për ta orientuar drejtë këtë energji.
/Autori i shkrimit është anëtar i Kryesisë së PSK-së/





