Rrjeta e PSK
PSK kërkon që të përfshihet në bisedime për hartimin e Kodit Zgjedhor
Deputeti Xhemajli: Vendosja e kamerave do të ndërpriste dukuritë e dënueshme të mbushjes së kutive.
PSK mbështet propozimin për heqjen e votimit me kusht dhe kërkon vendosjen e kamerave në vendvotime.
Prishtinë, 26 korrik 2010
Në seancën plenare të së hënës, në të cilën është diskutuar raporti i punës së Komisionit Qendror Zgjedhor për vitin 2009, deputeti i PSK-së Emrush Xhemajli ka paraqitur një varg rekomandimesh për KQZ-në. Fillimisht deputeti Xhemajli ka thënë se raporti i paraqitur nga KQZ ka shumë mangësi, prandaj nuk do ta mbështes miratimin e këtij raporti.
Deputeti Xhemajli ka bërë të ditur se Partia Socialiste e Kosovës, të cilën e përfaqëson, pranon rekomandimet e Komisionit për Legjislacion e Gjyqësi për Komisionin Qendror Zgjedhor.
Xhemajli ka thënë se mbështet në mënyrë kategorike rekomandimin që të hiqet votimi me kusht. Në bazë të sfidave të përshkruara në raportin e KQZ-së, me të cilat është përballur gjatë procesit zgjedhor, KQZ-ja në mënyrë të tërthortë e ka pranuar se votimi me kusht ka qenë një vrimë e zezë ku janë manipuluar votat dhe kjo nuk duhet përsëritur.
Xhemajli ka thënë se duhet që, në kuadër të përgatitjes teknike, të përfshihet montimi i kamerave gjatë procesit zgjedhor dhe sidomos gjatë numërimit të votave dhe bërjes së procesverbaleve nga komisionerët në vendvotime.
Deputeti i PSK-së ka thënë se vendosja e kamerave do të ndërpriste dukuritë e dënueshme të mbushjes së kutive në orët e pasdites dhe në mbrëmje.
Rekomandim tjetër duhet të jetë për KQZ edhe përgatitja për votim elektronik. Xhemajli ka thënë se sado që mund të jetë i kushtueshëm votimi elektronik ai e thjeshton, e saktëson dhe shpejton shumë nxjerrjen rezultatit të zgjedhjeve.
Duke iu referuar keqpërdorimit të detyrës nga ana e komisionerëve deputeti Xhemajli ka kërkuar nga KQZ të padisë komisionarët të cilët e keqpërdorin detyrën gjatë dhe pas votimit. Megjithëse ka pasur komisionerë që kanë shkelur rregullat, deri më tash asnjëri prej tyre nuk është ndjekur penalisht, ka thënë ai. Kjo ka inkurajuar dhe inkurajon komisionerët që edhe në të ardhmen të dëmtojnë procesin zgjedhor, deri në atë shkallë sa mund ta bëjnë të papranueshëm për ata që dëmtohen.
Deputeti Xhemajli ka folur edhe për bisedimet që janë duke u bërë lidhur me hartimin e Kodit Zgjedhor. Partia Socialiste e Kosovës kërkon që të përfshihen të gjitha subjektet politike të Kosovës të regjistruara në KQZ sipas ligjit në procesin e debatit për Kodin Zgjedhor, sepse në të kundërtën do të ishte shkelje e shanseve të barabarta në proces, ka thënë Xhemajli dhe ka bërë të ditur se Partia Socialiste e Kosovës i ka bërë kërkesë me shkrim KQZ lidhur me këtë.





